Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë së Lezhës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, ka finalizuar operacionin policor të koduar "Final O’clock". Si rezultat i këtij operacioni, u vu në pranga shtetasi Arbër Margjeka, 39 vjeç, banues në Lezhë.
Sipas njoftimit zyrtar, 39-vjeçari dyshohet se përdorte argjendarinë e tij për të tregtuar bizhuteri dhe ora të markave luksoze, të cilat nuk dispononin dokumentacionin e nevojshëm për origjinën e tyre. Hetimet sugjerojnë se sendet me vlerë mund të jenë vjedhur jashtë vendit dhe më pas janë futur në Shqipëri përmes rrugëve të kontrabandës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e biznesit, efektivët gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
- 133 ora dore të markave luksoze pa dokumentacion shoqërues;
- Bizhuteri floriri me peshë totale prej rreth 3.3 kilogramë;
- Shumën prej 270 500 lekësh dhe 2 700 eurosh, të dyshuara si të përfituara nga kjo veprimtari.
Vlera totale e mallrave të sekuestruara llogaritet në rreth 300 mijë euro. Policia vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në këtë skemë. Dosja i ka kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.