Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka theksuar nevojën urgjente për zhvillimin e infrastrukturës së gazit natyror, duke e vlerësuar atë si një element kyç për zhvillimin ekonomik të vendit. Aktualisht, sistemi energjetik i Kosovës varet kryesisht nga termocentralet e stërvjetruara me linjit dhe importi i energjisë, situatë e cila ka krijuar pasiguri dhe kosto të papërballueshme për ndërmarrjet vendore.
Në një njoftim për mediat, është bërë e ditur se dalja e qindra bizneseve në tregun e lirë të energjisë ka sjellë vështirësi serioze operimi. Disa kompani po shqyrtojnë mundësinë e zhvendosjes së fabrikave të tyre në shtetet fqinje, pasi nuk po mund të përballojnë çmimet aktuale. Për komunitetin e biznesit, kjo situatë është shndërruar në një çështje mbijetese dhe konkurrence në treg.
Integrimi në rrjetin rajonal të gazit do t'i mundësonte Kosovës diversifikimin e burimeve energjetike dhe rritjen e sigurisë së furnizimit. Përveç përfitimeve ekonomike, ky investim do të forconte edhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lidhja e Bizneseve të Kosovës kërkon nga institucionet shtetërore ndërmarrjen e hapave konkretë drejt këtij qëllimi, si dhe përmirësimin e klimës së përgjithshme për bizneset, të cilat konsiderohen si shtylla kryesore e ekonomisë së vendit.