Lil Jon ka konfirmuar vdekjen e djalit të tij Nathan Smith, 27 vjeç, i cili ishte zhdukur që nga 3 shkurt 2026. Trupi i pajetë u gjet më 6 shkurt 2026, rreth orës 11:53, në një liqen në Parkun Mayfield, pranë banesës së tij në Milton, Georgji.
Departamenti i Policisë së Milton njoftoi se Nathan Smith kishte lënë banesën në rrethana të pazakonta, çka çoi në nisjen e një hetimi të gjerë. Pas kërkimesh intensive pa rezultat, autoritetet zgjeruan operacionin në liqen, ku zhytësit e Departamentit të Zjarrfikësve të Qarkut Cherokee nxorën trupin. Identifikimi zyrtar pritet nga Zyra e Mjekut Ligjor të Qarkut Fulton.
Policia thekson se nuk ka shenja vepre penale, por çështja mbetet hetim i hapur derisa të përcaktohet shkaku dhe mënyra e vdekjes.
Në një deklaratë për revistën People, reperi 53-vjeçar shprehu hidhërimin: “Jam jashtëzakonisht i shkatërruar nga humbja tragjike e djalit tonë, Nathan Smith. Unë dhe nëna e tij jemi të shkatërruar”. Ai e përshkroi të birin si person të sjellshëm, të dhembshëm, të kujdesshëm, pasionant dhe të talentuar. Nathan Smith ishte producent muzikor, artist dhe inxhinier zëri, si dhe i diplomuar në Universitetin e Nju Jorkut.
Lil Jon shtoi: “Nathanin e donim me gjithë zemër dhe jemi të krenarë për të. Jemi të ngushëlluar që në momentet e fundit ia shprehëm këtë dashuri”. Ai falënderoi autoritetet, ekipet e shpëtimit dhe vullnetarët, duke kërkuar respekt për privatësinë e familjes.