Xhuana Nikillaj, 25-vjeçare nga Lezha, ndërroi jetë në QSUT pas vetëhelmimit me fostoksinë.
Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar detaje nga ekspertiza paraprake mjeko-ligjore, e cila konfirmon shenja të dukshme dhune në trupin e saj. Këto shenja thuhet se i ka shkaktuar ish-partneri Eraldo Fizi, i shpallur në kërkim nga policia.
Raportimet e mëparshme se e reja ishte shtatzënë u hodhën poshtë nga ekspertiza. Familjarët, në kallëzimin e tyre, pretendojnë se Xhuana Nikillaj u dhunua në mënyrë brutale nga Fizi.
Para aktit fatal, 25-vjeçarja kishte lënë një letër. Në të ajo shkruante se nuk donte më që ata njerëz që i kishin bërë keq të vazhdonin ta lëndonin. Në fund të letrës, ajo u kërkonte ndjesë nënës dhe babait.
Përditësime
Familjarët e Xhuanës Nikillaj deklarojnë se martesa me Fizin zgjati vetëm pak muaj dhe përfundoi vitin e kaluar. Sipas tyre, Fizi vazhdoi dhunën psikologjike dhe fizike ndaj ish-gruas, duke e çuar në vetëvrasje. Ata specifikojnë hematoma dhe dëmtime në gjymtyrë dhe trup. Hetimet po kryhen nga Policia e Lezhës, Policia e Tiranës dhe Prokuroria.