Liqeni i Shkodrës po kalon në një fazë vendimtare pas dorëzimit të dosjes për shpalljen e tij si Rezervë Ndërkufitare e Biosferës, në kuadër të programit „Njeriu dhe Biosfera“ të UNESCO-s. Ky program ndërkombëtar krijon territore model ku ruajtja e biodiversitetit dhe zhvillimi ekonomik bashkëjetojnë në ekuilibër, përmes planeve të integruara të menaxhimit, monitorimit të vazhdueshëm dhe raportimit periodik.
Procesi filloi si nismë e shoqërisë civile përmes bashkëpunimit ndërkufitar midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, me mbështetje nga Bashkimi Europian. Projekti „Zona e Pellgut Ujëmbledhës të Liqenit të Shkodrës, një Rezervë Ndërkufitare e Biosferës“ u drejtua nga Qendra EDEN në partneritet me Agjencinë Kombëtare për Zonat e Mbrojtura (AKZM) dhe organizata partnere në Mali i Zi.
„Kjo ka qenë një nismë e ndërtuar mbi konsultime reale me komunitetet lokale, ekspertët dhe institucionet. Nuk kemi të bëjmë me një vendim të marrë vetëm në nivel qendror, por me një proces që kërkon të krijojë një standard të ri menaxhimi për territorin, të mbështetur nga vetë aktorët lokalë“, thotë Ersa Prifti, koordinatore e projektit në Qendrën EDEN.
Liqeni i Shkodrës është liqeni më i madh në Gadishullin e Ballkanit dhe mban statusin Ramsar që prej 2005. Ai përbën një nga nyjet më të rëndësishme të migrimit të shpendëve në Europë, me mbi 280 lloje të identifikuara dhe 25 lloje habitatesh të mbrojtura sipas Direktivës Evropiane të Habitateve.
Sipas biologes Aurora Piroviq, liqeni është një nyje migrimi ndërkontinentale. „Shpendët nuk njohin kufij shtetërorë dhe për këtë arsye, edhe menaxhimi duhet të jetë i koordinuar mes dy vendeve. Vetëm përmes bashkëpunimit të strukturuar mund të garantohet ruajtja afatgjatë e këtij sistemi natyror“, deklaron ajo.
Programi „Njeriu dhe Biosfera“ i UNESCO-s nuk synon izolimin e territoreve, por harmonizimin e jetës njerëzore me ekosistemin, sipas drejtorit të AKZM, Agim Dardha.