Kopertina e revistës britanike New Statesman titullohet “Europa është kthyer”, duke theksuar një zhvendosje në debatet politike të Londrës. Sipas gazetës italiane Corriere della Sera, rikthimi i Britanisë së Madhe në Bashkimin Europian do të jetë tema kryesore gjatë këtij viti, saktësisht dhjetë vjet pas referendumit të Brexit-it.
Një diskutim i tillë kishte nisur prej muajsh, por ka pësuar një përshpejtim në vazhdën e veprimeve të fundit të presidentit amerikan Donald Trump. Edhe pse kryeministri britanik Keir Starmer, së bashku me liderë europianë, arritën të zbusnin tensionet e krijuara nga pretendimet e Trump-it për aneksimin e ishullit, në Londër ekziston ndjesia se diçka është thyer në marrëdhëniet transatlantike.
Komentet e Trump-it hodhën benzinë zjarrit kur ai e quajti “budallallëk” vendimin e Britanisë për t’i kthyer ishujt Chagos Mauritius-it, si dhe minimizoi sakrificat e trupave britanike në Afganistan. Londra zyrtare ka përsëritur se nuk ka synim të zgjedhë midis SHBA-së dhe BE-së, por të kultivojë marrëdhëniet me të dyja.
Tani, era fryn drejt BE-së, e cila konsiderohet më besueshme se SHBA-ja. Debati është hapur brenda Partisë Laburiste, ndërsa vetë Starmer ka deklaruar se synon “përafrim gjithnjë e më të madh me tregun e Bashkimit Europian”.
Në opinionin publik, gjykimi për Brexit-in është konsoliduar: shumica e konsideron gabim vendimin për shkëputje nga BE-ja, por kjo nuk nënkupton mbështetje për rikthim të drejtpërdrejtë në bllok.