Brenda pak ditësh, bombardimi masiv i Iranit nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli është shndërruar në një luftë rajonale, duke përfshirë aleatë kyç amerikanë në Lindjen e Mesme dhe duke shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve globale të energjisë.
Irani iu përgjigj fushatës së përbashkët amerikano-izraelite, e cila më 28 shkurt vrau udhëheqësin suprem ajatollah Ali Khamenei, me sulme të mëdha me raketa dhe dronë ndaj objekteve ushtarake dhe diplomatike amerikane, si dhe duke goditur infrastrukturë energjetike në Gjirin Persik.
Teherani synon të rrisë koston ekonomike, politike dhe ushtarake të konfliktit për Shtetet e Bashkuara, me qëllim detyrimin e tyre për të ndaluar armiqësitë.
Kosto të drejtpërdrejta për SHBA
Shtetet e Bashkuara kanë humbur 6 ushtarë në këtë luftë. Raketa balistike dhe dronë iranianë kanë goditur të paktën 6 nga rreth 19 objekte ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, ku janë të dislokuara rreth 40 mijë trupa. Midis tyre përfshihen baza në:
- Kuvajt
- Katar
- Emiratet e Bashkuara Arabe
- Bahrein
- Irak
Teherani ka goditur edhe objekte diplomatike. Ambasada e SHBA-së në Riad u godit nga dy dronë të dyshuar iranianë më 3 mars, duke shkaktuar zjarr. Një zjarr tjetër u raportua pranë Ambasadës amerikane në Kuvajt më 2 mars.
Ndikim në tregjet e energjisë
Irani ushtron presion ndaj SHBA-së duke goditur partnerët arabë në Gjirin Persik, çka ka çuar në rritje të ndjeshme të çmimeve globale të energjisë.
Hamidreza Azizi, studiues në Institutin Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, thotë se Teherani llogarit në hezitimin e presidentit amerikan Donald Trump për luftëra të ndërlikuara dhe të kushtueshme, duke treguar kapacitetin për ta zgjatur konfliktin dhe për ta bërë atë më të shtrenjtë.