Udhëheqësit evropianë kanë dërguar anije luftarake, avionë luftarakë dhe sisteme mbrojtjeje ajrore në Lindjen e Mesme për të mbrojtur bazat dhe aleatët, pavarësisht refuzimit për t'u bashkuar drejtpërdrejt në sulmet kundër Iranit. Ky mobilizim, një nga më të mëdhatë ushtarake të Evropës në vitet e fundit, ka nxjerrë në pah kufijtë e aftësive mbrojtëse të kontinentit, sipas zyrtarëve dhe analistëve.
Mobilizimi konsiderohet testi i parë i madh i kapaciteteve ushtarake evropiane pas presioneve të presidentit amerikan Donald Tramp për rritjen e shpenzimeve mbrojtëse, numrit të trupave dhe përgjegjësive për sigurinë. Ekspertët thonë se riarmatimi dhe rekrutimi në Evropë janë ende në fazat e hershme, pas dekadash varësie nga fuqia ushtarake e Shteteve të Bashkuara.
Vendosjet në Lindjen e Mesme kanë vështirësuar mbajtjen e forcave në fronte të tjera. Në Detin Baltik, vendet evropiane kishin planifikuar një demonstrim force kundër Rusias. Dërgimi i materialeve dhe municioneve për aleatët arabë në Gjirin Persik dëmton mbështetjen për Ukrainën në luftën kundër Moskës. Senatori italian Karlo Kalenda deklaroi në një intervistë: "Ne jemi shumë të brishtë në aspektin e luftës", duke paralajmëruar se kjo mund të krijojë probleme edhe për mbrojtjen e vendeve evropiane.
Kufizimet e Francës dhe Britanisë
Franca ka vendosur më shumë se gjysmën e flotës së saj luftarake në Mesdhe dhe Gjirin Persik, përfshirë aeroplanmbajtësen bërthamore, çka detyroi Parisin të reduktojë operacionet në zona të tjera.
Britania u përball me probleme administrative që vonuan me një javë vendosjen e një shkatërruesi në Qipro. Kryeministri Kir Starmer kishte premtuar dërgimin e anijes pas një sulmi me dron iranian ndaj një baze ajrore britanike në ishull.