Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, u ka bërë thirrje institucioneve qeveritare që të ndërmarrin masa konkrete për zbutjen e inflacionit, i cili ka shënuar rritje nga 5.3% në fillim të vitit në 7.2% aktualisht. Sipas Rafunës, sektori i transportit dhe ai i energjisë janë ndër faktorët kryesorë që po ndikojnë në këtë përshkallëzim të çmimeve në Kosovë.
Në një kërkesë publike dhe shkresë dërguar Qeverisë së Republikës së Kosovës, Rafuna propozoi lehtësime fiskale për derivatet e naftës dhe benzinës. Ai argumentoi se ulja ose heqja e përkohshme e akcizës dhe Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) do të ndihmonte drejtpërdrejt sektorin e bujqësisë dhe atë të transportit, të cilët janë të ekspozuar ndaj rritjes së kostove operacionale.
Duke analizuar situatën gjeopolitike dhe ndikimin e tyre në tregjet ndërkombëtare, kryetari i OEK-ut shprehu shqetësimin se inflacioni mund të vazhdojë rritjen gjatë periudhës së dimrit. Ai përmendi si tregues negativ rritjen e normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane dhe FED-i amerikan, të cilat reflektojnë pritshmëritë për rëndim të situatës ekonomike globale.
Së fundi, Rafuna vuri në dukje se mungesa e institucioneve me fuqi të plotë në vend po pengon zhvillimin ekonomik dhe shfrytëzimin e mundësive nga fondet ndërkombëtare. Ai paralajmëroi se çdo vonesë në veprim është duke dëmtuar mundësinë e integrimit të vendit në tregjet rajonale dhe atë të Bashkimit Evropian.