Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, paralajmëroi se inflacioni në Kosovë mund të vazhdojë të rritet dhe u kërkoi institucioneve të marrin masa për të lehtësuar barrën e çmimeve mbi qytetarët dhe bizneset.
Në emisionin FIVE, Rafuna tha se Oda Ekonomike i ka kërkuar Qeverisë një paketë masash për zbutjen e inflacionit, veçanërisht pas rritjes së çmimeve të derivateve të naftës. Si mundësi përmendi uljen e akcizës dhe të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), duke vënë në dukje se masa të tilla janë ndërmarrë edhe nga disa vende të Bashkimit Evropian.
Sipas Rafunës, nëse masat nuk mund të zbatohen në të gjithë ekonominë, duhet të mbështeten të paktën disa sektorë. Ai përmendi bujqësinë dhe transportin si fusha ku ndihma mund të zbusë ndikimin e rritjes së çmimeve.
Rafuna tha se shqetësimi i Odës Ekonomike lidhet edhe me mundësinë e rritjes së mëtejshme të inflacionit. Ai përmendi pritjet për rritje të kërkesës për energji elektrike dhe gaz gjatë vjeshtës dhe dimrit, të cilat, sipas tij, mund të shtojnë presionin mbi çmimet.
Për këtë arsye, Rafuna kërkoi që institucionet të veprojnë sa më shpejt dhe të mblidhet Këshilli Kombëtar Ekonomik. Sipas tij, mbledhja do të shërbente për të shqyrtuar masat që mund të ndërmerren për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset të përballojnë rritjen e kostos së jetesës.