Ky artikull është përditësuar. Shiko përditësimet
Në datën 11 janar 2026, lumenjtë kryesorë në zonën e Fierit kanë dalë nga shtrati për shkak të prurjeve të larta, duke shkaktuar përmbytje në banesa dhe toka bujqësore. Reshjet e shiut kanë ndaluar, por efektet vazhdojnë në qarkun e Fierit dhe Bashkinë Lushnje.
Lumi Seman ka dalë nga shtrati në fshatin Murriz, në Njësinë Administrative Fiershegan të Bashkisë Lushnje, duke rezultuar me prezencë uji në oborret e banesave. Gjithashtu, ka përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore brenda argjinaturave në zonat Roskovec–Patos dhe Fier.
Lumi Shkumbin ka kaluar nivelin e argjinaturës në fshatin Thanasaj, duke prekur rreth 20 banesa. Strukturat e Bashkisë Lushnje janë në terren dhe po vlerësojnë mundësinë e evakuimit të banorëve të prekur.
Në qarkun e Fierit, nuk raportohen akse të bllokuara. Situata e infrastrukturës është si vijon:
- Akset nacionale dhe rurale janë të kalueshme normalisht.
- Furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm mbetet në normalitet.
- Hidrovoret janë në gjendje pune dhe gatishmëri të plotë.
Sa i përket lumit Vjosa, prurjet janë në kuota të larta, por me tendencë uljeje sipas të dhënave nga ura e Memaliaj. Ujërat e tepërt po tërhiqen drejt Hidrovorit të Darzezës nga tokat bujqësore të prekura.
Autoritetet mbajnë monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.
Përditësim
Haki Çako, kreu i EMC-së, vizitoi zonën e përmbytjeve, ku deklaroi se prurjet e lumenjve Seman dhe Shkumbin ishin të paparashikueshme për shkak të hapjes së kaskadës së Devollit dhe hidrocentraleve të Banjës dhe Moglicës. Hyrja në fshatin Murriz është bllokuar nga uji mbi 30 cm, duke penguar qarkullimin e automjeteve. Banorët e Murrizit kaluan natën jashtë shtëpive nga frika e përmbytjes. Rreth 100 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur në Roskovec, Patos dhe Fier.
Mbrostar Ura ka pësuar përmbytje të reja, ku stalla bagëtish dhe një pulari janë zhytur nën ujë.
Autoritetet kanë nisur verifikimin e dëmeve në Ferras.
Nusret Avdullai, nënkryetari i Bashkisë Fier, deklaroi se dëmet po evidentohen menjëherë.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu premtoi ndihmë të menjëhershme, përfshirë transferimin e bagëtive të prekura.
Prurjet e lumit Seman priten të rriten pas mesditës, me strukturat e emergjencave në gatishmëri të plotë.