Ndërsa lufta në Lindjen e Mesme ka çuar në rritje rekord të çmimeve globale të energjisë, Shqipëria është mbrojtur falë Lumit Drin. Sipas Reuters, vendi shërben si shembull për shtetet me prodhim të lartë të energjisë së rinovueshme. Sulmi i Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt ka tronditur tregjet, por Shqipëria ka shmangur efektet më të rënda.
Lumi Drin, i fryrë nga shirat e dimrit dhe shkrirja e borës, ka rritur prodhimin hidrik. Ministria e Energjisë deklaron se pothuajse 90% e energjisë prodhohet nga hidrocentralet dhe 10% nga impiantet fotovoltaike, si ai i Karavastasë. Kjo strukturë e mbron vendin nga rritja e çmimeve të karburantëve fosilë, ndryshe nga shtetet e varura nga gazi apo qymyri.
Eksperti i energjisë dhe ish-zëvendësministër, Gjergji Simaku, shprehet për Reuters se e ardhmja e Shqipërisë qëndron te burimet e rinovueshme. "Unë e shoh të ardhmen e Shqipërisë te burimet e rinovueshme. Ne duhet të zhvillohemi në këtë mënyrë, vetëm përmes burimeve të rinovueshme, sepse rrisin sigurinë e furnizimit dhe ulin koston e prodhimit të energjisë elektrike, ndërkohë që bota përballet me kosto të larta për shkak të krizës me Iranin", thotë ai.
Megjithatë, kur kërkesa rritet, Shqipëria importon energji fosile të shtrenjtë ose mbështetet në projekte si anijet prodhuese në Vlorë. Këto anije kanë hasur kundërshtime nga banorët vendas për koston e lartë të prodhimit dhe ndotjen që shkaktojnë.