Në shtatorin e vitit 2025, në fshatin Boçovë të Fierit, pak kilometra larg plazhit të Semanit, makineritë e rënda nisën gërmimet për një park fotovoltaik pa paralajmërim për banorët. Kjo ka trazuar një komunitet të vogël prej 14 familjesh, të cilat pretendojnë se projekti mbivendoset tokave të gëzuara prej tyre prej 30 vitesh.
Nikoll Ndoi, mësues në profesion, deklaroi në fund të dhjetorit se kishte dëgjuar fillimisht për hapjen e një rruge nga një kompani private, por më pas mësoi se toka e tij nuk njihej më si e tij. "Doli se këtu po bëhet një park fotovoltaik dhe tokat nuk qenkan më tonat. Unë kam 30 vjet që nuk e regjistroj dot, ai na vjen një ditë dhe e bën pa problem", tha ai.
Projekti, një ndër më të mëdhenjtë të energjisë diellore në Shqipëri, u miratua nga qeveria më 4 qershor 2025. Leja i është dhënë kompanisë Albania Solar Power, e krijuar rishtas. Banorët akuzojnë biznesmenin Pëllumb Salillari se fshihet pas saj dhe ka përvetësuar pronat në rrethana të paqarta.
Konteksti më i gjerë
Konflikti në Boçovë nuk është i izoluar. Që nga viti 2018, qeveria ka dhënë me dhjetra leje për ndërtimin e parqeve fotovoltaike, me qëllim arritjen e sovranitetit energjetik dhe transformimin e Shqipërisë në eksportues neto energjie elektrike deri në fund të vitit 2030.
Këto plane po ndikojnë në jetën e komuniteteve lokale, ku mijëra hektarë tokë rrethohen me gardhe dhe mbulohen nga panelet diellore. Kjo cënon aktivitetet tradicionale të blegtorisë dhe përdorimit të tokës. Ekspertët shprehin dyshime për politikën e energjisë së rinovueshme, duke e cilësuar tranzicionin energjetik paradoksal, përsa kohë që shumica e energjisë së pritshme nuk plotëson ende nevojat e brendshme.