Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, priti në takim Ministrin e Deleguar për Evropën të Francës, Benjamin Haddad, për të diskutuar mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe situatën aktuale politike në vend.
Sipas njoftimit zyrtar të LDK-së, bisedimet u fokusuan në procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe rëndësinë e forcimit të partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Francës. Abdixhiku vuri në dukje se funksionalizimi i shpejtë i institucioneve të Republikës së Kosovës mbetet një çështje thelbësore. Sipas tij, stabiliteti institucional është parakusht për avancimin e reformave të nevojshme, rritjen ekonomike dhe përparimin e agjendës euroatlantike të vendit.
Kreu i LDK-së shprehu mirënjohjen e tij për përkrahjen e vazhdueshme që Franca i ka ofruar Kosovës. Ai vlerësoi rolin e shtetit francez në mbështetjen e proceseve demokratike, rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të përbashkët për të dyja vendet.