Në fjalimin e tij të mbajtur më 20 janar 2026 në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, presidenti francez Emmanuel Macron theksoi se bota është përballë një zgjedhjeje kritike.
Sipas tij, pranimi i ligjit të më të fortit do të çonte në një "qasje të re koloniale", ndërsa multilateralizmi efektiv mbron interesat e shteteve dhe siguron rendin global. Macron e cilësoi këtë si një moment kyç për mbrojtjen e sovranitetit dhe pavarësisë kombëtare.
Ai shtoi se masa e fundit për stacionimin e ushtrisë franceze në Groenlandë ishte një hap për mbrojtjen e këtij territori strategjik, pa “kërcënuar askënd”, por për të mbështetur një aleat dhe një vend tjetër evropian.
Roli i G7-së
Kreu i Francës theksoi rëndësinë e G7. Përmes presidencës franceze të këtij grupi, ai premtoi se do të kërkojë ringjalljen e G7 si forum për “dialog të sinqertë”. Qëllimi është parandalimi i luftërave tregtare, rritjes së proteksionizmit dhe përpjekjeve për të prishur rendin ekonomik global.
“Objektivi ynë përmes G7 është të tregojmë se fuqitë kryesore të botës janë ende të afta të arrijnë një diagnozë të përbashkët të ekonomisë globale”, deklaroi Macron.
Në këtë kontekst, ai bëri thirrje për angazhim më të madh në nivele ndërkombëtare, që shtetet të bashkëpunojnë për të zgjidhur krizat globale, përfshirë ato tregtare dhe gjeopolitike.