Presidenti francez Emmanuel Macron u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes ndaj sondazheve politike, të cilat renditin lideren e partisë Tubimi Kombëtar, Marine Le Pen, si pretendente kryesore për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027. Deklarata u bë gjatë një konference për shtyp në Bruhl, pranë Këlnit, ku Macron u prit nga kancelari gjerman Friedrich Merz.
Sipas presidentit francez, sondazhet nuk duhet të shihen si tregues të sigurt të rezultatit final. Ai solli si shembull përvojën e tij personale, duke kujtuar se në korrik të vitit 2016 shumë kandidatë konsideroheshin fitues të sigurt, por rezultati i majit të 2017 dëshmoi të kundërtën.
“Besojini popullit francez. Mos parashikoni gjithmonë më të keqen. Lëreni të zgjedhë më të mirën”, deklaroi Macron, duke iu referuar nevojës për besim te procesi demokratik. Kjo thirrje vjen në një kohë kur figura e Marine Le Pen gëzon mbështetje të lartë në sondazhet e publikuara së fundmi, ndonëse fushata zyrtare për zgjedhjet e ardhshme nuk ka nisur ende.
Gara e vitit 2027 konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme politike në Francë, veçanërisht pasi Emmanuel Macron nuk ka të drejtë të kandidojë për një mandat të tretë radhazi, sipas Kushtetutës së vendit.