Zyra e Presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, deklaroi se Podgorica mbetet e përkushtuar ndaj marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit në rajon, pas konfirmimit nga Serbia i blerjes së raketave kineze CM-400AKG me aftësi sulmuese.
Në përgjigje për portalin malazez Vijesti, zyra e Millatoviqit nënvizoi besimin dhe bashkëpunimin me të gjitha vendet e rajonit si parakushte për paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm. Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO në vitin 2017 ka forcuar sigurinë e këtij vendi dhe mbetet themeli i sistemit të tij të mbrojtjes.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi javën e kaluar blerjen e raketave balistike supersonike CM-400AKG nga Kina. Me këto raketa, Serbia u bë vendi i parë në Evropë që i posedon ato. Objektivat e tyre, me fuqi të madhe shkatërruese, mund të jenë disa qindra kilometra larg.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, vlerësoi blerjen si shenjë të tendencave hegjemoniste të Serbisë ndaj fqinjëve. Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, informoi sekretarin e përgjithshëm të NATO-s për këtë zhvillim, ndërsa Presidenti kroat Zoran Millanoviq shprehu mospërputhje se pse Serbia furnizohet me armë sulmuese, duke përmendur shqetësimet për sigurinë rajonale.
Vuçiq sqaroi se Serbia nuk po përgatitet për sulm, por e sheh si kërcënim aleancën ushtarake të pretenduar mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Këto tri vende i hodhën poshtë pretendimet e Beogradit.
Bashkimi Evropian, ku Serbia synon anëtarësimin, theksoi se rruga evropiane kërkon zgjedhje të qarta strategjike, duke shmangur varësitë që nuk janë në përputhje me integrimin evropian. NATO-ja, partnere e Serbisë, nuk ka dhënë ende reagim zyrtar.