Ekipi i Malishevës e ka përfunduar rrugëtimin në garat evropiane, pasi nuk arriti ta ruajë avantazhin e ndeshjes së parë në përballjen e kthimit kundër Hibernian në Skoci. Ndeshja përfundoi me shifrat 4-1 në favor të skuadrës vendase, duke bërë që Hibernian të kualifikohet për në raundin e tretë me një rezultat të përgjithshëm prej 4-3.
Skuadra skoceze e nisi ndeshjen me intensitet të lartë, duke shënuar dy gola të shpejtë në pjesën e parë. Elding zhbllokoi rezultatin në minutën e 9-të pas një asistimi nga Boyle, ndërsa vetëm gjashtë minuta më vonë, në minutën e 15-të, Passlack dyfishoi avantazhin. Dominimi i vendasve vijoi, kur Lowe realizoi golin e tretë në minutën e 35-të, pasi u gjet në vendin e duhur pas asistimit të Elding.
Në pjesën e dytë, Boyle vulosi fitoren dhe kualifikimin e skuadrës skoceze në minutën e 57-të me një goditje nga distanca. Goli i vetëm për Malishevën u shënua në minutën e 83-të nga Omer Bajraktari, i cili realizoi pas një asistimi të Dulajt, duke vendosur rezultatin përfundimtar 4-1.
Me këtë humbje, Malisheva bëhet skuadra e tretë kosovare që eliminohet në raundin e dytë kualifikues të Conference League, pas eliminimit të mëparshëm të Ballkanit dhe Dukagjinit.
Përditësime
Kjo ishte pjesëmarrja e tretë historike e Malishevës në garat evropiane. Në dy edicionet e mëparshme, klubi u eliminua në raundin e parë nga Buduqnosti i Podgoricës dhe Vikinguri islandez, duke mos arritur ende të kalojë këtë fazë.