Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, priti më 6 nëntor gjeneralmajorin amerikan Stephen E. Osborn, adjutantin e përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, dhe e dekoroi me medaljen “Shërbim i Shquar” të Ministrisë së Mbrojtjes.
Gjatë takimit, Maqedonci e falënderoi Osbornin për angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm në mbështetjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe për rolin e tij në thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe shtetit amerikan të Ajovës.
“Në shenjë mirënjohjeje për shërbimin e tij të shquar, përkushtimin dhe kontributin në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e nderova me Medaljen ‘Shërbim i Shquar’ të Ministrisë së Mbrojtjes”, deklaroi Maqedonci.
Ministri vlerësoi se partneriteti me Gardën Kombëtare të Ajovës ka pasur rëndësi të veçantë në transformimin dhe profesionalizimin e FSK-së, si dhe në ngritjen e kapaciteteve të saj operacionale.
Sipas Maqedoncit, bashkëpunimi pasqyron marrëdhëniet strategjike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ritheksoi se SHBA-ja mbetet një nga partnerët kryesorë të Kosovës në zhvillimin dhe fuqizimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse.