Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci kanë marrë pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës në Grupin Luftarak shumëkombësh Lindje të KFOR-it. Ceremonia u zhvillua në kampin amerikan Camp Bondsteel.
Ministri Maqedonci falënderoi kolonelin Jonathan Lloyd për kontributin dhe përkushtimin gjatë mandatit të tij në krye të këtij grupi. Ai uroi gjithashtu suksese kolonelit Samuel Sargeant për marrjen e detyrës së re.
Në një postim në Facebook, Maqedonci theksoi se partneriteti me NATO-n dhe misionin KFOR mbetet thelbësor për sigurinë e Republikës së Kosovës dhe përparimin e saj në rrugën euroatlantike.