Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, priti sot në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes Blanca Hereza Atienza, udhëheqëse e Sektorit të Operacioneve Aktuale në Divizionin e Operacioneve të NATO-s, e cila ishte e shoqëruar nga delegacioni i saj.
Gjatë takimit, fokusi kryesor i bisedimeve ishte analiza e zhvillimeve të sigurisë në rajon dhe vlerësimi i situatës aktuale. Maqedonci nënvizoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm dhe të pandërprerë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të NATO-s.
Ministri shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe kontributin e Aleancës në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë dhe në rajon. Ai theksoi se Kosova mbetet thellësisht e përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve me këtë organizatë, duke konfirmuar gatishmërinë e shtetit për të kontribuar me kapacitetet e saj në sigurinë dhe stabilitetin rajonal e ndërkombëtar.