Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, u takua në Berlin me ambasadorin Detlef Wächter, Përfaqësuesin e Përhershëm të Gjermanisë në NATO. Sipas njoftimit të ministrit, bisedimet u përqendruan te thellimi i partneritetit Kosovë–Gjermani, me vëmendje të veçantë te bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes.
Një nga temat kryesore ishte shqyrtimi i mundësive që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) të ndjekin trajnime, të arsimohen dhe të zhvillohen profesionalisht në shkollat dhe kurset e NATO-s. Maqedonci tha se diskutoi me Wächterin edhe për anëtarësimin në NATO, të cilin e përshkroi si synim strategjik të Kosovës, si dhe për rëndësinë e mbështetjes së partnerëve në këtë proces.
Maqedonci e cilësoi Gjermaninë partnere të rëndësishme strategjike për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe përparimin e integrimit euroatlantik.
Gjatë takimeve të tij në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Berlin, Maqedonci u takua gjithashtu me Florian Hahn, Ministër i Shtetit në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Sipas njoftimit të ministrit, ata diskutuan zhvillimet e fundit në rajon, thellimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, forcimin e partneritetit në fushën e mbrojtjes dhe industrisë ushtarake, si dhe avancimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Maqedonci njoftoi se Hahn shprehu mbështetje për proceset integruese të Kosovës dhe perspektivën e saj euroatlantike.