Deri në datën 18 gusht, në Maqedoninë e Veriut janë raportuar gjithsej 38 raste të infektuara me ethet e Nilit Perëndimor, prej të cilave 36 janë të konfirmuara dhe 2 të tjera klasifikohen si të mundshme. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), 37 prej rasteve janë përqendruar në rajonin e Shkupit, ndërsa një rast është regjistruar në Veles. Të gjithë pacientët janë duke u trajtuar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, bëri të ditur se nga numri i përgjithshëm i të prekurve, 28 janë meshkuj dhe 10 femra. Fatkeqësisht, katër pacientë kanë ndërruar jetë si pasojë e formës neuroinvazive të sëmundjes. Bëhet fjalë për burra të moshës 62 deri në 83 vjeç, të cilët vuanin edhe nga sëmundje të tjera shoqëruese. Vetëm gjatë javës së fundit janë shënuar 12 raste të reja dhe tre nga katër vdekjet e raportuara.
Masa parandaluese dhe dezinfektimi
Në përgjigje të situatës, është shpallur epidemi në komunat Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom dhe Butel. Autoritetet kanë intensifikuar masat për kontrollin e mushkonjave përmes dezinfektimit larvicid dhe adulticid, si nga ajri ashtu edhe nga toka, në disa zona duke përfshirë Haraçinën, Zelenikovën, Ilindenin, Petrovecin, Sopishtin, Çuçer Sandevën dhe Velesin. Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor ka kryer inspektime të vazhdueshme mbi këto procese.
Si pjesë e masave parandaluese, Ministria e Shëndetësisë ka nisur një fushatë përmes mesazheve SMS drejtuar qytetarëve në zonat e prekura, ku synohet dërgimi i 38.500 njoftimeve. Qytetarëve u kërkohet të respektojnë rekomandimet si:
• Largimi i ujit të ndenjur nga oborret (pjatat e vazove, gomat e vjetra, kovat).
• Pastrimi i rregullt i ulluqeve.
• Vendosja e rrjetave mbrojtëse në dritare dhe dyer.
• Shmangia e qëndrimit jashtë gjatë agimit dhe muzgut.
• Përdorimi i veshjeve me mëngë të gjata dhe repelentëve.
Në rast të shfaqjes së simptomave si temperaturë e lartë, dhimbje koke apo ngurtësi e qafës, qytetarët janë udhëzuar të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.
Përditësime
Ministria e Shëndetësisë raportoi 12 raste të reja të etheve të Nilit Perëndimor gjatë javës së fundit, duke e çuar totalin në 50 të prekur. Autoritetet shpallën gjendje epidemie në katër komuna të Shkupit: Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom dhe Butel. Nga totali i rasteve me manifestim neurologjik, 37 janë regjistruar në Shkup dhe 1 në Veles. Profili demografik tregon se 28 burra dhe 10 gra janë prekur, me 33 persona mbi moshën 60 vjeç. Ministria e Shëndetësisë intensifikoi fushatën informuese duke dërguar 31 mijë mesazhe SMS shtesë drejtuar kategorisë së qytetarëve mbi 60 vjeç për parandalim.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, raportoi sot rritjen e numrit të të prekurve nga ethet e Nilit Perëndimor në 43 raste, nga të cilat 40 janë të konfirmuara laboratorikisht. Virusi është identifikuar për herë të parë te një shpend, konkretisht një korb në Shkup. Përhapja është shtrirë edhe në komunat Shkup Qendër dhe Çair. Autoritetet kanë identifikuar 34 zona rreziku, prej të cilave 13 klasifikohen si zona me rrezik të lartë. Pikat kritike për shumimin e mushkonjave janë përcaktuar në Seravë, si dhe në kanalet e Jurumlerit, Draçevës, Batincit dhe Studeniçanit.