E ardhmja e sulmuesit Marcus Rashford mbetet në qendër të vëmendjes së merkatos. Pasi zhvilloi një sezon në huazim te Barcelona, ku regjistroi 49 ndeshje dhe ndihmoi skuadrën me 14 gola e 14 asistime, lojtari i përket ende Manchester United.
Bayern Munich ka shprehur interesim konkret për 28-vjeçarin, duke e parë atë si një përforcim të rëndësishëm për repartin ofensiv pas dështimit për të transferuar objektiva të tjerë si Anthony Gordon. Megjithatë, raportime të ndryshme, përfshirë ato të gazetës spanjolle Marca, theksojnë se futbollisti nuk është i prirur të shqyrtojë oferta të tjera përpara se të qartësohet situata me klubin katalanas.
Barcelona mban një opsion blerjeje për 26 milionë paund, i cili është i vlefshëm deri më 15 qershor. Drejtuesit e klubit spanjoll janë duke analizuar skenarë të ndryshëm, përfshirë transferimin përfundimtar ose rinovimin e mundshëm të huazimit. Sfida kryesore për katalanasit mbetet situata financiare dhe paga e lartë e lojtarit.
Aktualisht, Rashford është i fokusuar te pjesëmarrja me Kombëtaren e Anglisë në Kupën e Botës. Vendimi përfundimtar pritet të merret pas mbylljes së këtij turneu, kohë kur drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, pritet të komunikojë qasjen e klubit ndaj këtij operacioni.