Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës, ka publikuar në Facebook fotografinë e përbashkët të drejtorëve që do të udhëheqin drejtoritë komunale. Kjo ndodh në kuadër të marrëveshjes me PDK-në.
Në postim, Rama shkruan: “Profesionistë të përkushtuar, të bashkuar në shërbim të së mirës publike dhe mirëqenies së çdo qytetari të Kryeqytetit. Me përgjegjësi të përbashkët dhe përkushtim të plotë, do të funksionojmë si një ekip i vetëm për t’i vazhduar projektet madhore të Prishtinës dhe për t’i dhënë Kryeqytetit drejtimin që meriton. Vizioni për Prishtinën e së ardhmes është i qartë, një kryeqytet modern, funksional dhe dinjitoz për të gjithë. Së bashku me këtë ekip, do të vazhdojmë ta shndërrojmë këtë vizion në punë konkrete dhe rezultate të prekshme”.
Ai shton se, përtej dallimeve politike, qëllimi i përbashkët është puna me përgjegjësi, unitet dhe vizion për zhvillimin e kryeqytetit dhe të ardhmen që meritojnë qytetarët e këtij vendi.