Marta Kos, komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, ka komentuar për herë të parë çështjen e Belindës Balluku, ish-zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. PS nuk lejoi heqjen e imunitetit të saj në Kuvend, pas kërkesës së Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
E pyetur në forumin "Politico", Kos deklaroi se Shqipëria ka bërë një punë ekselente në reformën në drejtësi dhe është në rrugën e duhur. Ajo përmendi konkretisht rastin e Balluku, duke thënë se institucionet evropiane po e monitorojnë me vëmendje. "SPAK po bën një punë shumë të mirë dhe është normale që të hetojë apo të gjejë shkelje", u shpreh ajo.
Kos theksoi se përtej çështjeve nën hetim, të rëndësishme janë edhe reagimet e autoriteteve ndaj tyre, të cilat po monitorohen po ashtu. Përfaqësitë diplomatike në Shqipëri reaguan pas vendimit të Kuvendit, duke kërkuar mospengim të punës së drejtësisë.
Akuzat ndaj Balluku
Belinda Balluku është vënë nën akuzë për shkelje të barazisë në tendera për tunelin e Llogorasë dhe ndodhet nën hetim për procedura të tjera tenderuese. SPAK argumentoi se pozita e saj është rënduar, duke kërkuar heqjen e imunitetit për një masë sigurie më të ashpër. Kryeministri Rama e largoi atë nga qeveria pak javë më parë.
Sfidat për vendet kandidate
Kos nënvizoi se sfida kryesore mbetet jo vetëm krijimi i një kuadri ligjor të fortë kundër korrupsionit, por edhe ndryshimi i perceptimit shoqëror ndaj tij. "Mund të kesh legjislacionin më të mirë kundër korrupsionit, por nëse pranohet nga shoqëria, atëherë kemi një problem tjetër", deklaroi ajo.