Policia e Shtetit ka marrë masat për garantimin e mbarëvajtjes së protestës kombëtare të thirrur nga opozita, të martën më 10 shkurt në orën 17:00, para Kryeministrisë në Tiranë.
Sipas burimeve, parashikohet prania e mbi 1.000 efektivësh në terren dhe në gatishmëri, duke përfshirë forcat e rendit, Forcat Kombëtare të Sigurisë, RENEA-n dhe agjentë civilë.
Kufizimet e qarkullimit
• Nga ora 23:45 e së hënës nuk lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin Dëshmorët e Kombit, nga Ura e Dajtit deri në rrugën Ismail Qemali, deri në përfundim të tubimit.
• Nga ora 15:00 deri në fund të protestës bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin Dëshmorët e Kombit nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi Nënë Tereza, si dhe në rrugët Ukraina e Lirë, Papa Gjon Pali II dhe Ismail Qemali.
Në varësi të zhvillimeve, mund të ketë kufizime edhe në akse të tjera rrugore. Policia e Tiranës ka paraparë devijimin e qarkullimit përmes rrugëve alternative.
Policia u bën apel qytetarëve të shmangin lëvizjen me automjete në zonat e bllokuara, për të mos penguar pjesëmarrësit në tubim.
Ngjarjet e protestës së 24 janarit
Në tubimin e mëparshëm u arrestuan 18 persona, u proceduan penalisht 17 të tjerë dhe u shpallën në kërkim 2 protestues. U dëmtuan 11 punonjës policie, të cilët morën mjekim në spital. Gjithashtu, u procedua penalisht sekretari organizativ i Partisë Demokratike për veprën penale "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme".
Përditësime
Policia ka rritur numrin e efektivëve në rreth 1 400 për protestën e opozitës më 10 shkurt në Tiranë.
Masa të reja sigurie:
- Prani e shtuar policore te Parlamenti dhe institucione të tjera.
- Garda e Republikës në gatishmëri të plotë.
- Efektivë të pajisur me maska kundër gazit lotues.
- Autobote me ujë pranë Kryeministrisë dhe Parlamentit.
- Dyert e Kryeministrisë të blinduara me pllaka metalike.
- Kamera me rezolucion të lartë përgjatë bulevardit.
- Mbledhje e Policisë së Tiranës me udhëzime për shmangien e provokimeve.
Policia e Shtetit ka rritur numrin e forcave në 1530 në gatishmëri, me 1350 në terren, për protestën e opozitës më 10 shkurt në Tiranë.
Zhvillime të reja:
- Protesta pritet të fillojë në orën 18:00, jo 17:00.
- Policia i ka dërguar kërkesë zyrtare PD-së për përcaktimin e orës së përfundimit dhe ndalimin e personave të maskuar.
- Kufizime trafiku: parkimi i ndaluar nga mbrëmja e 9 shkurtit, qarkullimi i ndaluar nga ora 13:00 më 10 shkurt.
- Ambasada Amerikane ka paralajmëruar se protesta mund të përshkallëzojë në dhunë.
- Përgjegjësi i Policisë ka dhënë deklaratë të re për masat dhe shkresën ndaj PD-së.