Protesta e thirrur nga opozita sot në orën 17:00 në Tiranë ka vënë në gatishmëri Policinë e Shtetit, e cila ka marrë masa për çdo skenar të mundshëm. Burimet bëjnë të ditur se rreth 1300 forca policie, duke përfshirë ato të rendit, FNSH dhe Shqiponjat, do të jenë të angazhuara në terren.
Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA në rast nevoje, si dhe e gjithë Garda e Republikës për ruajtjen e institucioneve. Të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundragaz. Pas kryeministrisë do të vendosen 5 autobotë me ujë për raste incidentesh.
Masa të sigurisë në terren
• Do të krijohet kordoni policor para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj.
• Agjentë civilë të shumtë do të monitorojnë situatën.
• Dyert e kryeministrisë do të blindohen me veshje metalike.
• Policia ka instaluar kamera me rezolucion të lartë përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit.
• Rrugët rreth kryeministrisë do të bllokohen që prej orës 15:00.
Policia e Tiranës ka zhvilluar mbledhje me drejtuesit, shefat e rendit, sigurisë dhe komisariateve. Efektivëve u është kërkuar të ruajnë qetësinë, të mos provokohen nga protestuesit dhe të kenë kujdes maksimal.
Përditësime
Policia e Tiranës i kërkoi PD-së të përcaktojë orarin e mbylljes së protestës. PD nuk ka dhënë përgjigje.
Snajperë raportohen në tarracën e Kryeministrisë. Punonjës të Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit mbikëqyrin nga tarracat e Kryeministrisë dhe të godinave përreth.
- Burime zyrtare: rreth 1350 efektivë të angazhuar.
- Opozita vendosi podiumin disa orë më parë para protestës.
- Efektivë shtesë pas Kryeministrisë të pajisur me skafandra dhe maska antigaz.
- Dhjetëra mbështetës të PD-së grumbullohen në selinë blu.