Gjatë seancës plenare të së enjtes, më 2 korrik 2026, zona përreth ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë u kthye në një arenë tensionesh të larta. Protestuesit kundërshtuan klasën politike, duke kërkuar largimin e zyrtarëve dhe arrestimin e figurave të ndryshme publike. Incidentet nisën që në orët e para të mëngjesit, kur automjetet e deputetëve u goditën me vezë dhe miell nga protestuesit gjatë mbërritjes së tyre në Parlament.
Situata u përkeqësua kur një grup protestuesish çau gardhin metalik të sigurisë dhe tentoi të depërtonte në brendësi të godinës. Në kundërpërgjigje, Policia e Shtetit dhe forcat e FNSH ndërhynë me mjete shpërndarëse, përfshirë ujin me presion, gazin lotsjellës dhe spray. Gjatë përplasjeve fizike, 9 efektivë policie mbetën të lënduar, ndërsa u shënuan edhe dëme materiale, përfshirë thyerjen e xhamave të automjeteve të forcave të rendit.
Pas ndërhyrjes për të liruar hyrjet e Kuvendit dhe për të siguruar daljen e ministrave dhe deputetëve, protestuesit u shpërndanë në segmente të ndryshme të Tiranës, duke përfshirë zonën pranë Pedonales dhe Galerisë së Arteve. Një pjesë e protestuesve u zhvendos drejt Komisariatit nr. 1 dhe Komisariatit nr. 4, duke kërkuar lirimin e 18 personave të shoqëruar gjatë orëve të ditës.
Institucionet e rendit kanë njoftuar se forcat e policisë mbeten të pranishme në terren për garantimin e sigurisë, ndërsa situata vijon të jetë e monitoruar për shkak të zhvendosjes së grupeve në pika të ndryshme të kryeqytetit.
Përditësime
Tensionet u përshkallëzuan kur deputetët u larguan nga Kuvendi, duke u përballur drejtpërdrejt me protestuesit. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë ndërhynë me vonesë, pasi bllokimi i rrugëve nga turma pengoi lëvizjen e mjeteve dhe efektivëve.
Policia e Shtetit ka çuar në 19 numrin e të arrestuarve pas tensioneve të djeshme para Kuvendit, ndërsa ka proceduar penalisht 12 persona të tjerë. Në kërkim janë shpallur edhe 6 shtetas të tjerë për përfshirje në përplasje, ndërsa operacioni për identifikimin e autorëve vijon. Nga përplasjet kanë mbetur të lënduar 15 efektivë policie. Prokuroria ka zyrtarizuar akuzat për të ndaluarit, mes të cilëve është dhe një person i dyshuar për dhunimin e një gazetari gjatë detyrës.