Dita e sotme është karakterizuar nga tensione të larta gjatë protestës në kryeqytet, ku qytetarët janë përplasur me forcat e rendit në zonën përreth Parlamentit dhe Xhamisë së Namazgjasë. Pasi policia vendosi bllokada për të kufizuar lëvizjen drejt Kuvendit, protestuesit ndryshuan itinerarin duke marshuar drejt bulevardit "Dëshmorët e Kombit" dhe Unazës së Madhe.
Përplasjet dhe shoqërimet
Gjatë tubimit pranë Rrugës së Elbasanit, protestuesit kanë hedhur sende të ndryshme, si vezë dhe domate, në drejtim të efektivëve të policisë. Nga ana e saj, policia ka përdorur spraj me lëndë irrituese për të kontrolluar turmën dhe për të parandaluar çarjen e kordonëve të sigurisë. Në këtë kontekst, Policia e Shtetit ka shoqëruar 5 persona, mes të cilëve edhe aktivistin Arben Kola. Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur Kola, i cili mbante një megafon, është shoqëruar nga efektivët.
Vendimi i Gjykatës për protestuesit e mëparshëm
Paralelisht me protestën, Gjykata e Tiranës vlerësoi të ligjshëm arrestimin e Artemisa Islamajt dhe Orion Peçit, të arrestuar të enjten, dhe caktoi masën e sigurisë "ndalim i daljes jashtë vendit". Sipas organit të akuzës, Islamaj dyshohet se ka siguruar kapsolla për pjesëmarrësit në protestë, ndërsa Peçi dyshohet për dëmtimin e një punonjësi të forcave "Shqiponja" përmes hedhjes së një kapsolle të vendosur në një shishe plastike.
Në komisariatet e kryeqytetit janë shoqëruar për t'u marrë në pyetje edhe rreth 30 persona të tjerë, mes të cilëve Dritan Goxhtan Goxhaj dhe Edison Lika, të cilët u lanë të lirë pas disa orësh. Policia vijon të mbajë nën kontroll zonat e tensionuara në kryeqytet.
Përditësime
Protestuesit janë zhvendosur nga zona e Kuvendit drejt Komisariatit nr. 1 për të kërkuar lirimin e të ndaluarve. Aktivisti Arben Kola dhe disa protestues të tjerë janë liruar, ndërsa Kola ka deklaruar se ndalimi erdhi si pasojë e thirrjeve kundër Kryeministrit Edi Rama. Sipas të dhënave të fundit, numri i personave të shoqëruar ka shkuar në 10, nga 5 që ishte raportuar fillimisht. Organizatorët kanë njoftuar vijimin e protestës në orën 19:00 para Kryeministrisë.
Protesta e zhvilluar në Tiranë ka hyrë sot në ditën e saj të 58-të, ndërsa pjesëmarrësit kanë artikuluar kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë klasës politike aktuale. Pas grumbullimit fillestar në sheshin 'Skënderbej', turma marshoi drejt Komisariatit nr. 1. Aktivisti Arben Kola, i cili u shoqërua gjatë tubimit, deklaroi pas lirimit se ndalimi erdhi si pasojë e thirrjeve të tij kundër kreut të qeverisë.
Protestuesit ndryshuan strategji mëngjesin e sotëm, duke nisur grumbullimin në orën 08:30. Pasi bllokuan disa nga akset kryesore të kryeqytetit, turmat u zhvendosën drejt ndërtesës së Kuvendit. Gjatë rritjes së tensioneve, disa gazetarë në terren u përballën me agresion. Pamjet tregojnë momentin kur aktivisti Arben Kola u ndalua dhe u largua me forcë nga zona prej katër efektivëve të policisë.
Policia e Shtetit angazhoi 1500 efektivë për të garantuar perimetrin e sigurisë rreth Kuvendit. Autoritetet kishin kërkuar më herët bashkëpunimin e bizneseve private për monitorimin e perimetrit përmes sistemeve të tyre të survejimit. Ndërkohë, ekspertët dyshojnë se objektet e hedhura nga protestuesit, të identifikuara fillimisht si vezë, mund të përfshinin edhe materiale të forta si copëza mermeri. Burime policore konfirmojnë identifikimin dhe lokalizimin e një grupi protestuesish, ndërsa agjentët në terren raportojnë praninë e personave të infiltruar, të dyshuar për nxitjen e dhunës gjatë tubimit.
Policia e Shtetit përshkallëzoi masat gjatë protestës së 58-të në Tiranë, duke dislokuar autoblinda dhe mjete ujëhedhëse. Gjatë përpjekjeve për zhbllokimin e akseve rrugore, efektivët shoqëruan forcërisht aktivistin Arben Kola, ndërsa u raportuan incidente edhe me kalimtarë. Forcat e rendit, të cilat tejkalonin numrin e protestuesve, njoftuan se ndaj tyre u hodhën objekte të forta, dyshuar si fragmente pllakash trotuari.
Policia e Shtetit konfirmoi lirimin e 6 protestuesve të shoqëruar në Komisariatin nr. 1, pas përfundimit të procedurave të verifikimit. Nga ana tjetër, aktivisti Arben Kola denoncoi një tentativë sulmi me thikë ndaj aktivistit Gent Progni, duke pretenduar lidhje të autorëve me grupe kriminale dhe struktura policore. Ndërkohë, autoritetet sqaruan se mjetet ujëhedhëse nuk u përdorën gjatë protestës, duke përgënjeshtruar raportimet e mëparshme mbi pajisjet e përdorura për shpërndarjen e turmës.
Organizatorët e protestës akuzuan Policinë e Shtetit për përdorim të forcës joproporcionale gjatë përplasjeve të sotme në Tiranë. Pas shpërndarjes së turmave, protestuesit shkruan mesazhin "NDALNI DHUNËN!" në asfaltin e bulevardit kryesor.