Më shumë se 43 milionë amerikanë kanë votuar para kohe, më pak se një javë përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA. Zgjedhjet, që mbahen më 3 nëntor, do të përcaktojnë se cila parti do të kontrollojë Kongresin për dy vitet e ardhshme.
Sipas të dhënave të Laboratorit Zgjedhor të Universitetit të Floridës, çdo ditë janë hedhur nga 4 deri në 5 milionë vota të parakohshme, ritëm dukshëm më i lartë se në shumicën e zgjedhjeve të mëparshme.
Teksasi është ndër shtetet me pjesëmarrjen më të lartë dhe konsiderohet një nga fushëbetejat kryesore elektorale. Rezultati atje mund të ndikojë në kontrollin e Senatit amerikan gjatë pjesës së mbetur të mandatit presidencial të Donald Trump. Profesori Mike McDonald, drejtues i bazës së të dhënave të Laboratorit Zgjedhor, tha se në Teksas janë hedhur rreth 5,8 milionë vota, afërsisht 1,75 milionë më shumë se në zgjedhjet e vitit 2022.
Sipas shifrave të publikuara të enjten, demokratët përbënin 44% të votave të parakohshme, republikanët 31,2%, ndërsa 24,7% e votuesve nuk kishin deklaruar përkatësi partiake. Të dhënat paraprake tregojnë rritje të votave të hedhura nga demokratët, ndërsa pjesëmarrja e hershme e republikanëve mbetet përgjithësisht e ngjashme me atë të vitit 2022. Shifrat përfshijnë vetëm rreth gjysmën e shteteve që regjistrojnë përkatësinë politike të votuesve dhe nuk tregojnë domosdoshmërisht se për cilët kandidatë kanë votuar.
Pjesëmarrja e komuniteteve hispanike dhe afrikano-amerikane është rritur në disa shtete, përfshirë Karolinën e Veriut, Xhorxhian dhe Floridën. Rritje është vërejtur edhe në disa qarqe të Teksasit përgjatë kufirit me Meksikën, ku popullsia hispanike përbën më shumë se 90% të banorëve. Në Teksas, votuesit nuk janë të detyruar të deklarojnë përkatësinë partiake ose racën.
Votimi i parakohshëm është zgjeruar vitet e fundit, veçanërisht pas pandemisë së COVID-19, kur më shumë shtete u krijuan qytetarëve mundësi të votonin para ditës zyrtare, personalisht ose me postë. Në zgjedhjet e vitit 2020, më shumë se dy të tretat e votave u hodhën para ditës së zgjedhjeve.
Sipas McDonald-it, gjithnjë e më shumë votues po zgjedhin të votojnë personalisht edhe kur votojnë para kohe. Ai vlerëson se kjo prirje mund të lidhet me shqetësimet për votimin me postë, pasi gabimet mund të çojnë në skualifikimin e fletëve të votimit. Megjithatë, të dhënat nuk mjaftojnë për të përcaktuar arsyet e sakta të këtij ndryshimi. Pjesëmarrja në votimin e parakohshëm pritet të bjerë me afrimin e 3 nëntorit, ditës zyrtare të zgjedhjeve.