Pas mbylljes së afatit për dorëzimin e aplikimeve më 1 gusht, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka filluar fazën e shqyrtimit dhe verifikimit të kandidaturave për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo procedurë zhvillohet pasi në muajin dhjetor përfundon mandati i prokurorit aktual, Olsian Çela.
Kandidatët zyrtarë që kanë dorëzuar dokumentacionin deri në afatin e përcaktuar janë:
• Adnan Xholi, prokuror në SPAK
• Rovena Zoto, prokurore në Prokurorinë e Tiranës
• Ylli Pjetërnikaj, prokuror
• Fatjona Memçaj, prokurore
Në përputhje me kuadrin ligjor, KLP ka 45 ditë kohë për të vlerësuar nëse pretendentët përmbushin kriteret e kërkuara. Procesi i verifikimit do të përfshijë kontrollin e pasurisë nga ILDKPI, si dhe informacione nga Administrata Tatimore dhe Doganore, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), shërbimet informative, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, si dhe organet disiplinore. Vetëm kandidatët që kalojnë këto filtra ligjorë do të mund të vijojnë në fazën e seancave dëgjimore.
Ndërkohë, mbetet për t'u konfirmuar nëse kandidatë të tjerë, mes të cilëve janë përfolur ish-prokurorja e përgjithshme e përkohshme Arta Marku dhe ish-prokurorja e Krimeve të Rënda Pranvera Pustina, kanë dërguar dokumentacionin e tyre përmes shërbimit postar në çastet e fundit të afatit, fakt që pritet të sqarohet pas verifikimeve zyrtare.
Përditësime
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka zyrtarizuar kandidaturën e pestë për Prokuror të Përgjithshëm. Drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, i është bashkuar garës për pasuesin e Olsian Çelës, duke e çuar në pesë numrin e pretendentëve të konfirmuar.