Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, seanca e së enjtes ndaj të akuzuarve Momir Pantiq dhe Zharko Zariq është zhvilluar me dyer të mbyllura. Kryetarja e trupit gjykues, Donikë Shala-Abdyli, njoftoi se mbyllja e seancës u bë për të dëgjuar dëshmitarin anonim të koduar B1, për të cilin janë vendosur masa mbrojtëse dhe urdhër për anonimitet. Propozimi për mbajtjen e seancës pa praninë e publikut erdhi nga prokurorja speciale Florije Salihu-Shamolli, për shkak të ndjeshmërisë së lartë të rastit, ndërsa mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Millosh Deleviq dhe Dejan Vasiq, nuk kanë kundërshtuar këtë vendim.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 1 shtator 2024, të pandehurit akuzohen për veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”. Momir Pantiq, në cilësinë e ish-kryeshefit të stacionit policor në Istog, dhe ish-polici Zharko Zariq, dyshohen për pjesëmarrje në dhunën sistematike dhe vrasjet e të burgosurve shqiptarë në Burgun e Dubravës në maj të vitit 1999.
Në dokumentin e akuzës përshkruhen ngjarjet e datës 19 maj 1999, kur pas bombardimeve të NATO-s, forcat policore serbe nën udhëheqjen e Pantiqit hynë në dhomat e të burgosurve duke ushtruar dhunë. Aktakuza detajon gjithashtu ngjarjet e datës 22 maj, ku të burgosurit shqiptarë u grumbulluan në fushën e sportit dhe u qëlluan me armë zjarri e bomba. Përveç këtyre veprimeve, të pandehurit akuzohen edhe për kidnapimin dhe dhunimin seksual të dy viktimave me pseudonimet A1 dhe B1, si dhe për vrasjen e disa familjeve në territorin e Komunës së Istogut.