Gjykimi në mungesë ndaj të akuzuarve për krime lufte, Predrag Nikoliq, Zoran Dzeletoviq, Ivan Ivanov, Sinisha Milanoviq dhe Jovica Deniq, nuk ka nisur ditën e enjte për shkak të mungesës së mbrojtjes ligjore për njërin nga të pandehurit. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzën më 1 qershor 2026, duke i akuzuar të pandehurit për vrasjen e pesë anëtarëve të një familjeje civile më 6 maj 1999.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit, në cilësinë e policëve në Stacionin Policor në Fushë-Kosovë, kanë ndaluar viktimat derisa po ecnin në rrugën Prishtinë-Fushë-Kosovë dhe i kanë dërguar në vendin e quajtur Megja. Aty, ata dyshohet se kanë vrarë viktimat me armë zjarri, përkatësisht me pistoletë të tipit CZ99 dhe pushkë automatike Crvena Zastava. Pas kryerjes së veprës, aktakuza pretendon se të akuzuarit kanë djegur dokumentet e viktimave dhe janë kthyer në stacionin policor.
Prokuroria ka propozuar gjykimin në mungesë, me arsyetimin se janë shteruar përpjekjet për sigurimin e të akuzuarve, të cilët nuk ndodhen në territorin e Republikës së Kosovës. Të pandehurit ngarkohen me veprën penale "Krime lufte kundër popullatës civile" nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Jugosllavisë, vepër kjo që është e ndëshkueshme edhe sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.