Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar mbajtja e seancës fillestare ndaj 53 të akuzuarve për masakrën në Mejë dhe fshatrat përreth të Gjakovës. Gjyqtarja e çështjes, Violeta Namani-Hajra, ka konstatuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për zhvillimin e procedurës për shkak të mungesës së tre avokatëve mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare: Valon Hasani, Uresa Restelica dhe Laur Prenaj.
Gjyqtarja bëri të ditur se për këta avokatë janë raportuar arsye të ndryshme: avokati Hasani ka harruar datën e seancës, avokatja Restelica ka licencën të pezulluar, ndërsa avokati Prenaj mungoi për shkaqe shëndetësore. Kjo çështje është kthyer në rivendosje nga Gjykata e Apelit më 25 maj 2026, pas konfirmimit të mëparshëm të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).
Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile të kryera gjatë periudhës 1998-1999, kur forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe dyshohet se kanë vrarë qindra civilë, plaçkitur pasuri dhe kryer dëbime me dhunë. Në mesin e të akuzuarve janë figura si Momir Stojanoviq, Franko Simatoviq, Sreten Çamoviq, Verolub Zhivkoviq, Ilija Todorov dhe Dragan Zhivanoviq. Gjykimi ndaj tyre po zhvillohet në mungesë, pasi të gjithë të pandehurit gjenden në arrati. Seanca e radhës është caktuar për 25 shtator 2026, ora 08:30.
Përditësime
Aktakuza ndaj 53 të akuzuarve për masakrën e Mejës është finalizuar përmes plotësimeve të bëra në prill 2024, pas ngritjes fillestare në dhjetor 2023. Dokumenti akuzues implikon Momir Stojanoviq, ish-shef i Departamentit për Siguri në Komandën e Korpusit të Prishtinës, si një prej figurave kryesore përgjegjëse për vrasjen e 270 civilëve në fshatin Mejë. Në të njëjtën ditë gjyqësore, dështoi edhe seanca ndaj 21 të pandehurve të tjerë, të cilët akuzohen për dëbimin me forcë të civilëve shqiptarë, rast ky i ndërlidhur me procesin kryesor.