Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian diskutoi të enjten draft-raportin për progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian.
Në seancë, kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme, David McAllister, u ndal te zhvillimet në Shqipëri, ecuria e reformave dhe integrimi europian. Ai vlerësoi interesin e të gjitha forcave politike për procesin e integrimit, duke theksuar se Shqipëria ka hapur të gjitha kapitujt dhe pret raportin.
McAllister inkurajoi dialogun politik, duke thënë se mazhoranca duhet të krijojë hapësira për opozitën, ndërsa opozita të bëhet më bashkëpunuese në interes të qytetarëve dhe demokracisë. Ai përmendi progresin e parë në Shqipëri dhe vizitën e fundit të komisionit, ku u vunë re zhvillime pozitive. Çdo vend ecën individualisht në këtë proces dhe ndryshimi duhet të shihet te qytetarët.
Fjalimi i eurodeputetit Kovachev
Eurodeputeti Andrey Kovatchev foli për luftën kundër korrupsionit. Ai kërkoi rezultate më konkrete dhe pavarësi të plotë të institucioneve si SPAK nga presioni politik.
Kovatchev u ndal te hetimet në vijim për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke thënë se ato duhet të vazhdojnë pa ndërhyrje. Zbatimi i ligjit nuk mund të jetë selektiv dhe parlamenti ka përgjegjësi për shqyrtimin e kërkesës për heqjen e imunitetit pa vonesa. Ai shprehu shqetësim për amandamentet në Kodin e Procedurës Penale që mbrojnë zyrtarët nga pezullimi gjatë hetimit.