David McAllister, kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian (AFET), mbajti një konferencë për shtyp në Tiranë më 18 shkurt 2026, ku përcjelli mesazhe për klasën politike shqiptare.
Ai theksoi nevojën për përshpejtim të reformave dhe zbatim konkret të ligjeve. Sa i përket luftës kundër korrupsionit, McAllister vlerësoi progresin e arritur, por e cilësoi atë jo të kënaqshëm. Sipas tij, Shqipëria ka humbur 11 vende në renditjen e Transparency International. Ai kërkoi ruajtjen e forcës shtytëse në këtë fushë, zbatim të plotë të legjislacionit, plotësim të stafit në strukturat e drejtësisë, shmangie të ndërhyrjeve politike dhe shembull nga politikanët.
Sa i përket reformës zgjedhore, ai kërkoi ndryshime në kohë të mjaftueshme para zgjedhjeve të ardhshme, gjithëpërfshirëse dhe duke zbatuar plotësisht rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, me përfshirje të opozitës.
McAllister nënvizoi gjithashtu rëndësinë e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik. Ai kërkoi transparencë nga drejtuesit e mediave dhe mbrojtje të gazetarëve nga presionet politike dhe sulmet. Në përfundim, ai bëri thirrje për bashkëpunim konstruktiv mes institucioneve dhe forcave politike për zbatim praktik të ligjeve.