Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, deklaroi se thirrja publike për dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese do të hapet më 26 shkurt. Kjo u bë e ditur pas takimit me Komisionin e Posaçëm për Shqyrtimin e Kandidatëve për Emërim në Gjykatën Kushtetuese.
Haxhiu theksoi se komisioni u dakordua me konsensus për këtë afat, në përputhje me obligimet kushtetuese dhe ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Ajo ftoi të gjithë kandidatët që plotësojnë kushtet ligjore të aplikojnë dhe premtoi se procesi do të jetë transparent dhe profesional.
Komisioni do të inkurajojë në veçanti gratë për të aplikuar në këto pozita. Në përbërjen aktuale të Gjykatës Kushtetuese janë gjashtë gjyqtarë burra dhe vetëm një grua.
Haxhiu paralajmëroi gjithashtu shpalljen e konkursit për një anëtar të Këshillit Gjyqësor nesër, duke theksuar se Kuvendi ka shumë obligime për plotësimin e pozicioneve vakante. Emërimi përfundimtar varet nga votimi i deputetëve në Kuvend.