Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, deklaroi se Italia nuk është pjesë e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe nuk ka ndërmend të përfshihet në luftë. Në një postim në platformën X, shoqëruar me një video të publikuar më 7 mars 2026, ajo theksoi se qeveria italiane është e angazhuar për të mbrojtur sigurinë e vendit dhe të qytetarëve të tij, si dhe për të mbështetur çdo iniciativë që synon paqen.
"Qeveria është e angazhuar të mbrojë sigurinë e Italisë dhe të qytetarëve të saj dhe të mbështesë çdo iniciativë që synon kërkimin e paqes", shkroi Meloni. Ajo ritheksoi: "Italia nuk është pjesë e luftës dhe nuk synon të hyjë në të".
Meloni bëri të ditur se ka zhvilluar bisedime me liderë evropianë, midis tyre presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrin britanik Keir Starmer. "Kam pasur një diskutim me Macron, Merz dhe Starmer për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm. Ne po punojmë, sa të jetë e mundur, për të ulur tensionet dhe për të parë nëse ekziston ende mundësia për të rifilluar negociatat", u shpreh ajo.
Sipas burimeve, Italia ka marrë iniciativën për një koordinim të ngushtë mes Italisë, Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kjo për të adresuar së bashku krizën, forcuar veprimet diplomatike dhe vazhduar dialogun me vendet e rajonit. Liderët evropianë ranë dakord për nevojën e bashkëpunimit për të shmangur përshkallëzimin dhe kontribuar në stabilitetin e zonës.