Në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, më 15 prill, në kuadër të ditës së tretë të Samitit IV të Diasporës Shqiptare, u zhvillua aktiviteti simbolik “Mëngjesi i Vëllazërimit”. Ky event bashkoi përfaqësues të komuniteteve fetare shqiptare nga vendi dhe diaspora në një program lutjesh dhe bekimesh për paqe, mirëkuptim dhe prosperitet të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Aktiviteti, i moderuar nga gazetarja Monika Stafa, nisi me interpretimin e këngës “Fjalët e Qiririt” nga Ilir Shaqiri. Ndër pjesëmarrësit ishte edhe Kryeministri Edi Rama. Përfaqësuesit fetarë përcillën mesazhe harmonie dhe shprese, duke bekuar simbolikisht flamurin kombëtar.
Mes tyre spikasin Rifat Halili, imam dhe drejtues i Qendrës Islame Shqiptare në New York dhe New Jersey, i cili si folës kryesor theksoi rëndësinë e ruajtjes së harmonisë ndërfetare si vlerë identitare shqiptare, veçanërisht në diasporë. Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror Bektashian, në lutjen e tij kërkoi urtësi për ndërtimin e një bote më të drejtë dhe njerëzore, duke u shprehur se pjesëmarrësit të dilnin më të bashkuar dhe të fortë në shpirt.
Kastriot Idrizi, përfaqësues i Bashkësisë Katolike në Bruksel, u lut për shqiptarët në diasporë, për të rinjtë, prindërit dhe të moshuarit, që të ruajnë shpresën dhe lidhjet me rrënjët. Morën pjesë gjithashtu Nikodhim Preston, peshkop i Kryedioqezës së Shqipërisë në Boston, Erjon Sylari nga Vëllazëria Ungjillore, si dhe Dom Pjetër Popaj.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të sesionit me temë “Trashëgimia e së Shenjtës”, që i referohet pasurisë shpirtërore dhe materiale të lidhur me besimin dhe martirizimin në identitetin kombëtar. Samiti i Diasporës vijon punimet nën moton “Përmes rrënjëve lartësohemi”, duke mbledhur përfaqësues nga e gjithë bota.