Dritan Zaimi, mësues i anglishtes në shkollën Gustav Mayer në Tiranë, predikonte fenë fëmijëve të arsimit fillor. Ai rezulton të jetë i lidhur me pastoren e vetëshpallur Alketa Auer në Kishën Online Ndërkombëtare, grup fetar në internet të panjohur ligjërisht nga shteti shqiptar.
Hulumtimi i gazetarës Kristi Gongo në Top Channel tregon se Zaimi dhe Auer janë njohur në vitet 90 dhe janë ritakuar në vitin 2020. Nga atëherë dyshohet se ka nisur rrugëtimi fetar i mësuesit, me fokus të dukshëm fëmijët. Fëmijët kryenin detyra shtëpie për urdhërimet e Perëndisë dhe vlerësoheshin me notën 10. Disa prindër akuzojnë 51-vjeçarin se predikonte fenë e Dëshmitarëve të Jehovait.
Postimet e Zaimit në platformat sociale zbulojnë besimin e tij në Yahushua, emër hebraik për Jezusin në një rrymë mes krishtërimit dhe judaizmit. Ai ka shkruar për alarm ndaj errësirës totale të botës, vdekjen dhe luftën ndaj njerëzve që nuk besojnë. Një postim në Facebook thuhet: «Tani do të lëkunden themelet e çdokujt që rebelohet ndaj Zotit të gjallë dhe të vërtetë, Jezus Krisht. OSE DO TI NDËNSHTROHENI BIRIT, OSE DO TË SHKATËRROHENI. MOS VDIS PA PRANUAR YAHUSHUA HAMASHIASCH».
Grupimi ka një strehëz takimesh pranë rrugës Aleksandri i Madh në Astir. Aty zhvillojnë evente për shërimin e sëmurëve në emër të Jezus Krishtit dhe pagëzime, mes tyre edhe të fëmijëve. Pastora Alketa Auer pretendon se shëron shqiptarët.