Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar pas lajmit për heqjen e statusit non grata ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta ka riafirmuar qëndrimin e mbajtur pesë vite më parë, duke theksuar se nuk ndryshon asnjë detaj nga kritikat e tij të mëparshme.
Sipas Metës, vendimi i mëparshëm për shpalljen non grata ishte pjesë e një komploti mafioz, i cili kishte për qëllim asgjësimin e pluralizmit politik në vend dhe dëmtimin e marrëdhënieve historike dhe strategjike ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ish-kreu i shtetit e lidhi këtë zhvillim me të ashtuquajturën aferë McGonigal, duke argumentuar se ajo shërben si shpjegim për një sërë skandalesh. Ai akuzoi se korruptuesi i ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal, ka financuar përpjekje për të shkatërruar opozitën dhe pluralizmin në Shqipëri, duke keqpërdorur zyrtarë të korruptuar si McGonigal.