Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, gjatë një vizite në Dibër, deklaroi se hetimet për ndotjen e ujit në Gostivar do të zgjerohen. Sipas tij, përgjegjësia është identifikuar dhe tashmë janë ndaluar e marrë në pyetje disa persona, ndërsa procesi i hetimit pritet të përfshijë edhe individë të tjerë. Problemi, siç shpjegoi kryeministri, ka ardhur si pasojë e veprimeve të papërgjegjshme të punonjësve të ndërmarrjes komunale, të cilët transferuan ujë nga lumi drejt rezervuarit kryesor të qytetit.
Aktualisht, sistemi i ujësjellësit po i nënshtrohet procesit të hiperklorimit nga ekspertë të Ndërmarrjes Publike Ujësjellësi i Shkupit. Kryeministri Mickoski theksoi se po merren mostra të përditshme dhe shprehu bindjen se qytetarët së shpejti do të kenë qasje në ujë të pijshëm bakteriologjikisht të sigurt. Për momentin, banorëve u është siguruar ujë teknik, ndërsa qeveria ka falënderuar qytetarët dhe kompanitë për ndihmën nëpërmjet donacioneve.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, gjendja epidemiologjike në Gostivar vlerësohet si stabile. Më 31 korrik janë regjistruar 60 kontrolle të para mjekësore, një shifër dukshëm më e ulët krahasuar me kulmin e krizës më 18 korrik, kur u evidentuan 649 raste. Në total, nga 14 korriku e deri në fund të muajit, janë realizuar 4.543 kontrolle mjekësore, janë pranuar 1.028 njoftime për sëmundje ngjitëse dhe janë përpunuar 730 anketa epidemiologjike.
Kriza nisi më 17 korrik, kur Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ndaloi përdorimin e ujit pas zbulimit të një pompe që fuste ujëra të ndotura në sistem. Rezultatet e analizave konfirmuan ndotje të lartë fekale, me 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Hetimi ndaj drejtoreshës së NP Komunalec dhe dy punonjësve të tjerë vijon, pasi ata dyshohen se vendosën pompa zhytëse në kanale të ndotura për të testuar presionin e sistemit.