Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, reagoi publikisht lidhur me përbërjen e protestave që po zhvillohen në Tiranë. Përmes një deklarate, ministri bëri të ditur se një prej personave që merr pjesë në tubime, e identifikuar si Eda Grimçi, mban poste drejtuese brenda Partisë Demokratike.
Sipas Gonxhja, Eda Grimçi shërben si kryetare e PD-së në Njësinë Administrative nr. 9 dhe është zgjedhur së fundmi anëtare e kryesisë së kësaj force politike. Ministri e shoqëroi deklaratën e tij me tone ironike, duke e lidhur këtë pjesëmarrje me pretendimet e mazhorancës se tubimet nuk janë nisma thjesht qytetare, por kanë një agjendë politike të organizuar.
Në reagimin e tij, Gonxhja citohet të jetë shprehur: “'Protestuesja' e revolucionit rozë, e flakta qytetare që guxon më flet në emër të popullit, e palodhura Eda Grimçi qenka kryetare e PD-së së njësisë 9, e sapozgjedhur në kryesinë e Opozitës së Bufit të Kënetave dhe Moçaleve”.
Ndërkohë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar mbështetjen e tij për protestat, me shpresën se ato do të çojnë drejt ndryshimit të qeverisë. Nga ana tjetër, organizatorët e këtyre tubimeve vazhdojnë t'i cilësojnë ato si nisma qytetare, pavarësisht pretendimeve të vazhdueshme të përfaqësuesve të mazhorancës, të cilët i lidhin protestat me strukturat e opozitës.