Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u ka bërë thirrje protestuesve që po zhvillojnë tubime në bulevard të ndryshojnë qasjen e tyre. Në një intervistë për emisionin “Off the Record” me gazetarin Andrea Danglli në televizionin A2CNN, ministri vlerësoi se përdorimi i vezëve gjatë protestave përbën një përdhosje të simbolit të jetës dhe nuk sjell asnjë dobi në zgjidhjen e problemeve.
Gonxhja deklaroi se një grup i kufizuar personash, të cilët ai i vlerësoi në shifrat rreth 25, 30 deri në 100 veta, nuk mund të ushtrojnë vetëgjyqësi ndaj institucioneve apo të cenojnë reputacionin e shtetit. Sipas tij, protestat qytetare duhet të karakterizohen nga kërkesa të qarta dhe të strukturuara drejtuar qeverisë.
“Vezët janë simbol i jetës, nuk ka pse të përdhoset simboli i vezëve, pasi simbolizon jetën, dhe s’të jep asnjë të drejtë për të përdhosur askënd. Në rast se je duke bllokuar punimet e Parlamentit në një protestë qytetare... Edhe nëse e keqja do ishim ne, nuk shkon që me vetëgjyqësi nga krahu tjetër, 25-30 apo 100 veta s’mund të poshtërojnë një institucion dhe reputacionin e një shteti”, u shpreh ministri.
Lidhur me mënyrën e komunikimit, ministri shtoi: “Unë dua pa ju dhënë mend atyre, do diçka, mblidhen këto shpirtra dhe thonë: 1, 2, 3, 4, 5. Nëse nuk i realizon, ne do të dalim këtu dhe do kërkojmë dorëheqjen tënde”. Gonxhja theksoi se vendosja e dorëheqjes së kabinetit qeveritar si kusht i parë dhe i panegociueshëm e bën të pamundur dialogun dhe plotësimin e kërkesave të tjera që mund të kenë protestuesit.