Ferit Hoxha, ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, mori pjesë në aktivitetin e organizuar në Bruksel më 11 maj me rastin e 40-vjetorit të radios “Jehona e Shqipes”. Ai e vlerësoi atë si zë që ka mbajtur gjallë gjuhën, kulturën dhe shpirtin shqiptar në zemër të Evropës.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri Hoxha shprehu mirënjohje për themeluesin Sakip Skepi dhe bashkëpunëtorët e radios. Sipas tij, ata me pasion dhe përkushtim kanë bërë që gjuha shqipe të hehojë larg atdheut, duke forcuar lidhjet e komunitetit shqiptar në Belgjikë dhe më gjerë.
Hoxha theksoi se për 40 vite, “Jehona e Shqipes” ka qenë më shumë se një radio: urë bashkimi, vatër kujtese, zë identiteti dhe dritare komunikimi për mijëra bashkatdhetarë. Kjo radio ka zhbërë distancat dhe ka bashkuar zemrat e diasporës shqiptare në Belgjikë dhe Evropë.
Ministri cilësoi diasporën shqiptare si “atdheu jashtë atdheut”, bartëse besnike e identitetit kombëtar dhe vlerave evropiane. Ajo mbetet jo vetëm burim frymëzimi dhe krenarie, por edhe partnere aktive në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Evropës.
“Kudo ku ruhet dhe zhvillohet shqipja, jeton edhe shqiptaria”, përfundoi Hoxha në mesazhin e tij.