Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, inspektoi punimet në ujësjellësin e qytetit të Elbasanit. Investimi prej rreth 13 milionë euro është financuar nga Banka Gjermane KfW.
Projekti ka përmirësuar cilësinë dhe sasinë e ujit të pijshëm, duke siguruar furnizim 24 orë për rreth 60% të popullsisë së Elbasanit. Janë rehabilituar dy depo ekzistuese me kapacitet 2000 m³ secila dhe është ndërtuar një depo e re me të njëjtin kapacitet, e ndarë në dy seksione.
Ministri deklaroi se pas këtij investimi do të vijojë faza tjetër për të arritur mbulim 100% të qytetit me ujë 24 orë. Ai theksoi se reforma në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve ka sjellë përmirësim të performancës financiare, me nivel arkëtimi 105% dhe mbulim të plotë të kostove të energjisë elektrike.
Projekti përfshin gjithashtu automatizimin e sistemit përmes një sistemi SCADA për monitorim në distancë. Investime të tjera në sektor do të vazhdojnë në buxhetin e vitit 2026, me fokus te rritja e efikasitetit energjetik.