Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka bërë të ditur se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) po kryen monitorim të vazhdueshëm të çmimeve të derivateve të naftës në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Sipas njoftimit zyrtar, bazuar në çmimet e importit të deklaruara nga Dogana e Kosovës, deri në këtë moment nuk është vërejtur asnjë rast i abuzimit me çmimin e shitjes së karburanteve.
Sipas të dhënave zyrtare, situata në treg paraqitet si më poshtë:
- Çmimi i importit të naftës është 1.83 euro, ndërsa në pikat e karburanteve çmimi i shitjes varion nga 1.92 deri në 1.94 euro për litër.
- Çmimi i importit të benzinës është 1.54 euro, ndërsa çmimi i shitjes me pakicë lëviz në intervalin 1.61 deri në 1.67 euro për litër.
Institucioni ka njoftuar se, në rast të verifikimit të ndonjë abuzimi me çmimet nga ana e kompanive shitëse, do të shqyrtohet mundësia e rikthimit të vendimit për caktimin e marzhës tregtare maksimale të lejuar për shitje me shumicë. MINTI deklaroi se mbikëqyrja e tregut mbetet e plotë dhe se ndryshimet në çmime janë pasojë e dinamikave të furnizimit ndërkombëtar, konkretisht si rrjedhojë e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, e jo si pasojë e lëvizjeve të brendshme të tregut.