Sot në seancën plenare të Kuvendit pritet të miratohet kredia për projektin "Porta e Alpeve", një nga programet më të rëndësishme strategjike për transformimin e Shkodrës dhe veriut të Shqipërisë. Projekti financohet nga Banka Europiane e Investimeve dhe Qeveria Shqiptare me një vlerë totale prej 100 milion eurosh.
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ka njoftuar në rrjetet sociale se pas një periudhe përgatitore që ka nisur në dhjetor 2023, janë hartuar një sërë projektesh transformuese në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe ekspertë vendas e ndërkombëtarë.
Ndër projektet kryesore që do të financohen përfshihen transformimi i bulevardit kryesor të Shkodrës në një korridor të gjelbër multimodal, përfundimi i korridorit rrugor Shkodër-Velipojë me standarde moderne, modernizimi i transportit urban me 17 autobusë elektrikë, krijimi i një rrjeti biçikletash prej mbi 80 kilometrash dhe zhvillimi i sistemit të muzeve të qytetit.
Beci ka theksuar se këto investime do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, turizmin gjatë gjithë vitit dhe ngritjen e standardeve urbane europiane në rajon. Ai ka falënderuar Qeverinë Shqiptare dhe Kryeministrin Edi Rama për mbështetjen e dhënë.