Organizatat partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve, së bashku me organizata të tjera, do të zhvillojnë një mision faktmbledhës dyditor në Prishtinë më 24 dhe 25 mars 2026. Qëllimi kryesor është vlerësimi i sfidave ndaj lirisë së medias në Kosovë dhe diskutimi i zgjidhjeve me akterët e medias dhe autoritetet.
Gjatë misionit, delegacioni do të trajtojë çështje si:
- presioni politik ndaj mediave;
- siguria e gazetarëve;
- kushtet e punës së gazetarëve;
- legjislacioni, përfshirë ligjin për media dhe amendamentet e propozuara;
- transmetuesi publik (RTK) dhe Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM);
- qasja e gazetarëve në informata publike;
- kërcënimet ligjore, përfshirë paditë abuzive (SLAPP) dhe propozimet për rikriminalizimin e shpifjes;
- transpozimi dhe zbatimi i Direktivës Evropiane kundër SLAPP, Aktit Evropian për Lirinë e Medias (EMFA) dhe Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA).
Kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar takimin me delegacionin. Parashihen gjithashtu takime me redaktorë dhe gazetarë, anëtarë të komisionit parlamentar për media, autoritete gjyqësore, përfaqësues të policisë, organe rregullatore dhe përfaqësues të RTK.
Pas misionit, partnerët do të paraqesin gjetjet fillestare në një konferencë për media në Prishtinë më 25 mars 2026. Më pas do të publikojnë një raport për lirinë e medias me rekomandime, të cilat do t’u shpërndahen organizatave relevante kombëtare dhe ndërkombëtare.
Një mision i ngjashëm ishte zhvilluar në Kosovë në vitin 2022. Misioni mbështetet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Organizata pjesëmarrëse
- European Centre for Press and Media Freedom
- European Federation of Journalists
- Reporters Without Borders
- International Press Institute
- Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa
- Association of European Journalists
- Index on Censorship